Shtrihet rreth 8 km në jugperëndim të Therandës. Është vendbanim i tipit të grumbulluar, në një luginë afër kodrës së afërt.
Sipërfaqja: 467 ha, 48 ari, 45 m.
Familjet: Vranoci, Llapashlica (Muhaxheri), Obrazhda, Gashi, Balaj, Rexhaj, Voci, Shaqiri, Vraniqi, Shabanaj, Sofra etj.
Mikrotoponimet më karakteristike: Zabeli i Pashës, Lesku, Nërjaz, Livadhe të Thata, Ugaret, Rruga e Nëpërbishtit, Rrezina, Resula, Tuma, Arat e Gjata, Arat e Mëdha, Brelloci, Kulla e Ali Haj-dciht etj.
Tërë lokaliteti rreth këtij vendbanimi ishte i banuar që nga antikiteti. Jo larg tij janë zbuluar gjurmët e vendbanimeve ilire, si p.sh. në Hisar, Tarazhdë, Gjinoc, Leshan etj.
Në dokumente të shkuara, përmendet kur Stefan Nemanja në vitin 1198/99 ia dhuron manastirit të Hilandarit, ndërsa në vitin, 1348 Car Dushani ia dhuron manastirit të shenjtërve Mihal e Gabriel afër Prizrenit. Banorët e këtij vendbanimi përmenden në Librin e kujtimeve të manastirit të Shën Trinës afër Mushtishtit në vitin 1465.
Në defterët osmanë nuk kemi mundur të deshifrojmë, ose është regjistruar me ndonjë emër tjetër, por ndoshta në këtë kohë ka qenë i braktisur?
Ky vendbanim kah mesi i shek. XIX ishte i banuar me popullate shqiptare, serbe dhe rome. Kur vijnë muhaxhirët i gjejnë këta banorë. Kështu, rreth vitit 1879 ky vendbanim kishte 4 shtëpi shqiptare, 4 serbe dhe 1 rome.
Pas dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitin 1878 e disa edhe më vonë, në këtë vendbanim u vendosën banorët shqiptarë muhaxhirë nga fshatrat Obrazhdë e Pustarekës, Llapashticët, Berjanët, Momqillët, Vranocët dhe Gajtonët. Shumë nga këto familje janë shpërngulur në Turqi, si p.sh. Obrazhdët dhe Berjanët në Izmir, Gajtonët etj.
Banorët e këtij vendbanimi ishin çipçinj të begut Mahmut Pasha, nga Prizreni, i shpërngulur më vonë në Turqi.
Si vendbanim në sallnamet turke të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h), është i regjistruar me emrin Tarsena, afër Leshanit.
Në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore, përkatësisht në vitin 1936 këtu u kolonizuan 17 familje kolone serbe.
Shënimet statistikore:
në vitin 1913 kishte 262 banorë;
në vitin 1918 - 19 shtëpi shqiptare me 184 banorë;
në vitin 1921 - 20 shtëpi me 176 banorë;
në vitin 1928 - 18 shtëpi me 170 banorë;
në vitin 1948 - 45 shtëpi me 321 banorë;
në vitin 1953 - 45 shtëpi me 309 banorë;
në vitin 1961 - 53 shtëpi me 429 banorë (363 shqiptarë, 65 serbë, 1 të tjerë);
në vitin 1971 - 56 shtëpi me 534 banorë shqiptarë; në vitin 1981 - 88 shtëpi me 720 banorë shqiptarë.
Para agresionit serb fshati kishte 120 shtëpi me rreth 1200 banorë shqiptarë. Më 24 e 25 mars të vitit 1999 forcat paramilitare serbe rrethuan fshatin. Aty pushteti serb vranë e masakruan atë natë 46 civilë, pleq, gra e fëmijë të moshave të ndryshme dhe gjinive të ndryshme, në mesin e tyre kishte edhe 9 mysafirë nga Gurra (Studençani) dhe 1 mysafir nga Qëndresati (Randobrava) që ishin strehuar aty. Vetëm nga ky vendbanim janë vrarë 29 persona. Pastaj, ato ia vunë zjarrin fshatit dhe i dogjën 90% të shtëpive pothuajse në tërësi. U dogj dhe u shkatërrua shkolla fillore me dokumentacionin dhe bibliotekën e saj, shtëpia e kulturës etj. Sipas shënimeve të Kuvendit Komunal në vitin 2000 kishte 1270 banorë.
Sipas raportit të Human Right Watch, në fshatin Tërrne, gjashtë kilometra në jugperëndim të Suharekës, do të gjenin vdekjen të paktën njëzetë e katër persona, sipas shënimit tjetër deri në tridhjetë e gjashtë persona, duke përshirë edhe shtatë fëmijë të moshës pesëmbëdhjetë vjeç, madje edhe më të vegjël. Kjo ngjarje ka ndodhur më 25 mars, në ora 6 të mëngjesit. Trupat e tyre kriminelet i kishin tërhequr. Në këtë vendbanim kishte edhe vrasje të tjera që përshkruhen në raport.
|